Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se kompetencat e Vjosa Osmani janë të shumta, por jo aq sa ajo mendon. Ai ka numëruar rolet e institucioneve të tjera, të cilat Osmani i ka marrë për të shkarkuar Kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Krasniqi shtoi se Avokati i Popullit por edhe 30 deputetë duhet që patjetër ta dërgojnë, Vjosa Osmanin, në Gjykatën Kushtetuese.
“Kompetencat e Presidentit të Kosovës janë të shumta, por jo aq sa po mendon Presidentja Osmani-Sadriu. Në vendimin për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së, ajo ka marrë rolin e katër institucioneve të tjera:
- Gjykatës Kushtetuese, duke i interpretuar vet kriteret për certifikim të kandidatëve për deputetë;
- Kuvendit, duke vlerësuar punën e KQZ-së;
- Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke konstatuar shkelje në verifikimin e votuesve jashtë vendit;
- Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke konstatuar shkeljen e të dhënave personale.
Kjo ndërhyrje e pashembullt nuk duhet të lejohet. Përndryshe është fitore për lajmet e rrejshme të shpërndara gjatë zgjedhjeve për KQZ-në, për bullizmin politik të Sami Kurteshit e për ndërhyrjet arbitrare të Presidentes në punën e institucioneve të pavarura.
Avokati i Popullit ose 30 deputetë, duhet patjetër të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentes për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së”. /Insajderi.com