Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Takimi trepalësh në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell – kryediplomat i BE-së dhe emisarit special për dialog, Miroslav Lajçak, ka nisur gjatë paradites së sotme, njofton Insajderi.

Ky është takimi i parë që zhvillohet mes Kurtit dhe Vuçiqit për procesin e dialogut.

Para takimit mes palëve, Borrell e Lajçak takuan ndaras fillimisht Kurtin e më pas Vuçiqin.

Para se të fillonte ditën me takime, Borrell është deklaruar në një konferencë për media.

Ai tha se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiq e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel.

Është kënaqësi të takohemi në Bruksel dhe t’i mirëpresim Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo gjatë pas vizitës së tyre dypalëshe në Bruksel në fund të prillit”, ka thënë ai. /Insajderi.com