Hyseni për takimin e Kurtit në Bruksel: “Dështimi më i madh diplomatik i Kosovës”

Hyseni për takimin e Kurtit në Bruksel: “Dështimi më i madh diplomatik i Kosovës”

Ish-koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, e ka cilësuar si “dështimin më të madh diplomatik të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”, takimin e kryeministrit Albin Kurti të martën në Bruksel me palën serbe, njofton Insajderi.

Sipas tij, Kurti u soll në mënyrë “arrogante dhe pa sens diplomatik” në mënyrë që “ta minojë dialogun deri në ndërprerje të plotë”.

“Kurti arriti që me sjelljen e tij diletante, krekosjen prej populisti dhe papërgjegjësinë e theksuar, ta dobësonte në masë të madhe pozicionin negociues të Kosovës në vazhdimin e dialogut, i cili, deshi s’deshi Albin Kurti do të vazhdojë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ai tutje është shprehur se sjellja e Kurtit “dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit”.

“Ai dje tregoi se nuk ka vullnet, guxim dhe as dije të mbrojë interesat fundamentale të vendit. E sot, nuk ka interes më të madh dhe më urgjent për Kosovën sesa përmbyllja e konfliktit me Serbinë me njohje të ndërsjellë”.

Në fund, Hyseni është shprehur se dialogu do të vazhdojë, “dhe unë besoj se do të mbyllet shpejt!”./Insajderi.com