Ministri i Jashtëm serb akuza të rënda për Von Cramon: Kreu krim politik

Ministri i Jashtëm serb akuza të rënda për Von Cramon: Kreu krim politik

Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, ka akuzuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke thënë se “kreu një krim të rëndë politik dhe diplomatik, duke u përpjekur të relativizojë dhe mbrojë mos-vullnetin e plotë të Prishtinës për të mos diskutuar tema në mënyrë konstruktive dhe për të mos zbatuar detyrimet e marra”, transmeton Insajderi.

Duke komentuar deklaratën e fundit të Von Cramon mbi dialogun, e cila tha se “asgjë nuk është dakord derisa gjithçka të bihet dakord”, Selakoviq thotë se përfshirja e këtij parimi nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të prishur dialogun.

Selakoviç vlerësoi se “një kuptim i tillë i dialogut të Brukselit do ta lironte Beogradin nga çdo detyrim për të vepruar në përputhje me marrëveshjet e arritura në vitet e fundit me ndërmjetësimin e BE-së dhe garancinë e Brukselit se marrëveshja do të zbatohet”, gjë që sipas tij nuk po e rekomandon Von Cramon.

“Edhe një herë, ne po përballemi me situatën absurde që një person që ndërton kapacitetin e tij politik mbi faktin se është anëtar i një institucioni të BE-së minon proceset e garantuara nga BE-ja dhe është koha të sanksionojmë gjithnjë e më shumë znj. Von Cramon që po lobon hapur për Kosovën e vetëshpallur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Selakoviç shtoi se “procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është delikat dhe kërkon menaxhim të kujdesshëm” dhe se “çdo sjellje e papërgjegjshme në të mund të rezultojë në përkeqësimin e situatës në terren dhe destabilizimin” dhe u bëri thirrje “të gjithë atyre që ndjekin dialogun në Bruksel t’i peshojnë mirë fjalët e tyre”.

Raportuesja për Kosovën në PE tha se negociatat midis Kosovës dhe Serbisë do të jenë të komplikuara dhe nuk duhet që domosdoshmërisht të pritet që të ketë rezultate të menjëhershme, andaj sipas saj duhet pasur parasysh se asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të bihet dakord.

“Ne nuk duhet domosdoshmërisht të presim që rezultatet të arrihen menjëherë pas një raundi dhe duhet të kemi parasysh se asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të bihet dakord”, ka thënë sot eurodeputetja Viola von Cramon, për “Danas”.  /Insajderi.com