“S’ka shpresë për drejtësi” – Mbyllen hetimet për vdekjen e 39-vjeçares

“S’ka shpresë për drejtësi” – Mbyllen hetimet për vdekjen e 39-vjeçares

Një vit pas vdekjes së Sevdije Kuklecit nga Komuna e Istogut, Prokuroria Themelore në Pejë ka vendosur që t’i mbyllë hetimet lidhur me rrethanat e vdekjes së saj.

Ndonëse ishte raportuar si viktimë e COVID-19, familja e 39-vjeçares së ndjerë dyshonte se ajo ka vdekur nga papërgjegjësia e mjekëve në Spitalin Rajonal të Pejës, të cilët ishin duke e trajtuar rastin e saj.

Dyshimet e familjes për shkaktarin e vërtetë të vdekjes u shtuan akoma më shumë kur të gjithë personat që kishin pasur kontakt me të u testuan për COVID-19 dhe asnjë nga ta nuk rezultoi pozitiv.

Ndaj, Prokuroria në prill të vitit të kaluar kishte nisur hetimet ndaj disa prej mjekëve në spitalin e lartpërmendur.

Por, rreth një muaj më parë, familja Kukleci është njoftuar nga Prokuroria se hetimet janë mbyllur pasi “nuk ka prova”.

Mbylljen e hetimeve për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Valbona Disha Haxhosaj, e cila s’ka dhënë më shumë detaje veçse ka rekomanduar që të dërgohen pyetje në email të prokurorisë, por këta të fundit s’kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

E në dokumentin të cilin e ka siguruar Insajderi thuhet se “…në këtë çështje penale nuk ka asnjë provë që do të vërtetonte dyshimin e arsyeshëm se të dyshuarit A.K., L.R., G.R., R.E., A.S., SH.B., që të gjithë nga Peja, kanë kryer veprën penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’. Duke marrë parasysh atë që u theksua më lartë, prokurori i shtetit ka mbyllur rastin”.

Ndonëse e pakënaqur me vendimin, familja Kukleci s’do të ankohet në asnjë institucion më, pasi “ka humbur shpresat në drejtësinë e këtij vendi”.

Motra e të ndjerës, Fatime Salihi, vazhdon ta thotë me bindje se moskujdesi dhe neglizhenca e stafit mjekësor e kanë çuar atë drejt vdekjes.

“Jo, me vendimin sigurisht që nuk pajtohemi, por as të ankohemi s’kemi ku më. Nuk presim të ketë drejtësi në këtë vend”, tha ajo për gazetën.

E pyetur nëse dyshojnë që ndonjë nga mjekët ka ndërhyrë në rast për të pushuar hetimet, ajo tha se “të them të drejtën nuk e di se kush ka ndërhyrë, por pasi bëhet fjalë për një institucion, lë të nënkuptohet që diçka ka pasur”.

Sevdije Kukleci ka vdekur më 13 prill të vitit 2020 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku kishte shkuar për t’u operuar për shkak të problemeve me lukth.

Ajo ishte raportuar si viktimë e COVID-19, megjithatë për shkak të dyshimeve të familjes trupi i saj ishte zhvarrosur rreth një javë më vonë dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Instituti i Mjekësisë Ligjore shkaktarin kryesor të vdekjes e ka gjetur Sepsën.

“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhej në certifikatën e vdekjes së Sevdije Kuklecit./Insajderi.com