Presidentja Osmani udhëton për në Turqi, do të takohet me Erdoganin

Presidentja Osmani udhëton për në Turqi, do të takohet me Erdoganin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Turqi, ku do të takohet me presidentin e kësaj të fundit, Recep Taip Erdogan, njofton Insajderi.

Përveç presidentit turk, Osmani gjatë kësaj vizite do të takojë edhe përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, si dhe udhëheqës të tjerë pjesëmarrës në këtë forum.

Siç është bërë e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani në Turqi do ta përfaqësojë Kosovën në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

“Në këtë samit, i cili sivjet mbahet për herë të 25-të dhe këtë vit udhëhiqet nga Turqia, Presidentja do të flasë lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet tutje në njoftim.

“Më pas, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, krahas shumë udhëheqësve shtetërorë nga e gjithë bota. Në këtë forum ajo do të jetë pjesë e panelit “Global Governance: New Approaches for Global Solutions” (Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale). Ajo po ashtu do të flasë edhe në disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara nga ky forum”, përfundon njoftimi./Insajderi.com