Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, derisa mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së se i kanë nënshkrimet e nevojshme dhe do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, transmeton Insajderi.
Ajo më tej ka ftuar të gjitha grupet parlamentare t’i bashkohen kësaj iniciative.
“PDK i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. PDK fton të gjitha grupet parlamentare t’i bashkohen kësaj iniciative për ta ruajtur Kushtetutën e vendit”, ka thënë Deliu.
Ajo ka thënë se përmes këtij vendimi, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po synojnë të kapin institucionet e pavarura.
“Kjo është tendencë për qeverisje autoritare që provon të vë kontroll në të gjitha institucionet kyçe. Shkarkimi i kryesues të KQZ-së vjen pas zgjedhjeve të rregullta dhe pozitive. Vendimi rrezikon pavarësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale që janë në vjeshtë. Ky është shkarkim politik që ka për qëllim kapjen e shtetit. Osmani me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën për të zbatuar urdhrin e Kurtit dhe Vetëvendosjes”, shtoi ajo. /Insajderi.com