Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, njofton Insajderi.
Ky memorandum mirëkuptimi u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në Kuvend, derisa u bë e ditur se qëllimi i tij është të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës.
“Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut përfaqësuar nga Ambasada Britanike, ka për qëllim të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin e qeverisë.
“Qëllimi i memorandumit të mirëkuptimit është të mbështesë përpjekjet e përbashkëta për të siguruar emërimin e udhëheqësve të përgatitur, të pavarur dhe profesionalë në institucione dhe organe publike, përmes proceseve rekrutuese transparente dhe të bazuara në meritë”, bëhet e ditur në njoftim. /Insajderi.com