Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje ndaj deputetëve të cilët marrin pjesë në forume të ndryshme ndërkombëtare, që të mos nënshkruajnë asnjë deklaratë ku Kosova paraqitet me fusnotë, transmeton Insajderi.
Ajo tha se një gjë të tillë do ta praktikojë vetë ajo kur do të marrë pjesë gjatë javës së ardhshme në punimet e seancës plenare në Turqi.
Pacolli tha se tash bëhen 10 vjet që kur Kosovës iu është vënë fusnota, gjë që vendit tonë iu mohua të paraqitet me simbole shtetërore në takimet ndërkombëtare.
“Ne përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës në SECP, javën tjetër do të marrim pjesë në punimet e seancës plenare në Turqi. Ne do të kërkojmë që Kosova të trajtohet në përputhej të plotë me deklaratën e Samitit të Bukureshtit të vitit 2014 dhe nuk do të votojmë asnjë deklaratë nëse emri i Republikës së Kosovës shënohet me fusnotë”, tha ajo.
Pacolli bëri thirrje të gjithë deputetëve që marrin pjesë në forume të ndryshme të mos pranojnë heqjen e simboleve të Kosovës dhe të mos nënshkruajnë asnjë deklaratë ku emri i Republikës së Kosovës shënohet me fusnotë. /Insajderi.com