PSD dorëzon në Kuvend peticionin për faljen e gjobave në pandemi

PSD dorëzon në Kuvend peticionin për faljen e gjobave në pandemi

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me mbi 11 mijë nënshkrimet e qytetarëve për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

Anëtari i kësaj partie, Nol Nushi, tha se nënshkrimet janë vendosur në gjashtë folder.

Para mediave, ai theksoi se po i dorëzojnë nënshkrimet e mbledhura nga të gjitha qytetet, për të kërkuar inicimin e Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë.

Sipas Nushit, arsyeja e kësaj kërkese është se gjobat ndaj qytetarëve janë shqiptuar “në mënyrë jologjike dhe më nuk kanë ndonjë efekt”.

“Një rol të madh në shtytjen tonë e ka pasur fushata e partive politike që nuk e kanë respektuar asnjë masë. Janë ndarë më shumë se 200 mijë dënime që i bie se 10 për qind e qytetarëve janë dënuar në ndërkohë nuk kemi vaksina, ndihma ekonomike dhe po gjobiten qytetarët”, theksoi ai.

“Është me urgjencë dorëzimi i këtij peticioni dhe bërja e një projektligji. Ne mendojmë që në mënyrë urgjente të futet në rendin e punës të futet në seancë dhe ta votojnë 120 deputetë këtë projektligj”, përfundoi Nushi./Insajderi.com