Kryetari i ri i KQZ-së: Daka është profesioniste

Kryetari i ri i KQZ-së: Daka është profesioniste

Kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, deklaroi të enjten se ish-kryetarja e këtij institucioni është profesioniste, njofton Insajderi.

Pas përfundimit të mbledhjes së parë të komisionit nën udhëheqjen e tij, Radoniq theksoi se “për Dakën s’kam asgjë tjetër veç vlerësim pozitiv”.

“Për mua është një profesioniste, e njoh personalisht dhe nuk kam asgjë sa i përket punës së saj. Për mua është një punë e re. Ajo tash e 11 vjet ka udhëhequr me komisionin dhe zgjedhjet prej asaj kohe kanë shkuar në rregull”, u shpreh kryesuesi i ri i KQZ-së.

Tutje, Radoniqi tha se do të sigurohet që mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor, të shkojë në rregull dhe në përputhje me ligjet.

“Do të sigurohem që zgjedhjet të jenë më të sigurta dhe të ketë lehtësira në votim”.

Radoniqi u emërua të hënën kryesues, në ditën kur u shkarkua Valdete Daka nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Daka u shkarkua me arsyetimin se ka cenuar integritetin e zgjedhjeve. E nga opozita e kanë kundërshtuar këtë vendim, madje Partia Demokratike e Kosovës të enjten ka paralajmëruar se rastin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese./Insajderi.com