Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, ka replikuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten pasi kjo e fundit u shpreh e pakënaqur lidhur me shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 nga program COVAX, transmeton Insajderi.
Në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani është shprehur se gjatë shpërndarjes ka pasur padrejtësi.
COVAX është program përmes së cilit Bashkimi Evropian ka shpërndarë vaksina falas për vendet e varfra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.
“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar. Zotëri Borrell e përmendi iniciativën e COVAX nga e cila ka përfituar edhe Kosova. Por, ndërkohë që përfitonim e kemi parë se jo secilën herë shpërndarja ka qenë e barabartë”, është shprehur Osmani.
Ndaj kësaj deklarate ka replikuar Borrell, i cili ka thënë se nuk kanë ndërhyrë në mënyrën se si COVAX i ka shpërndarë vaksinat.
“Dikush po fliste për drejtësi dhe që COVAX nuk është treguar gjithnjë i drejtë. A e dini çfarë? Ajo që ne në Evropë kemi bërë, është që kemi krijuar bazën për kriteret e shpërndarjes së vaksinave vetëm nga burimet tona, pra ne i kemi dhënë para COVAX-it por nuk kemi ndërhyrë në mënyrën se si COVAX e ka bërë shpërndarjen e vaksinave sepse ky program funksionin i pavarur në bazë të kritereve të IOM dhe GAVI”, ka përfunduar ai./Insajderi.com