Haradinaj me tri pyetje publike për Kurtin

Haradinaj me tri pyetje publike për Kurtin

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me tri pyetje publike, pasi ky i fundit deklaroi se s’do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas Haradinaj, kryeministri “po mashtron me dialogun”, ndaj dhe i ka kërkuar të ndalojë.

“Tri pyetje kërkojnë përgjigjie nga ju e që kanë të bëjnë me Asociacionin. E para: a jeni kundër Asociacionit, apo jeni kundër Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës? Pyetja e dytë: A keni propozuar Asociacion gjeografik, çka nënkupton ai dhe a është në bazë të Kushtetutës së Kosovës? Dhe pyetja e tretë: nëse keni propozuar Asociacion gjeografik, atëherë na trego pse ky Asociacion është më i mirë sesa Asociacioni në bazë të Kushtetutës së Kosovës të cilin e përkrah edhe Amerika edhe BE-ja?”, ka shkruar i pari i AAK-së në profilin e tij në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti, deklaroi të enjten se Kosova ka një asociacion të komunave funksional, derisa shtoi se s’mund të ketë asociacion mbi baza etnike./Insajderi.com