Tahiri: Asociacioni nuk parasheh kompetenca ekzekutive

Tahiri: Asociacioni nuk parasheh kompetenca ekzekutive

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, deklaroi të premten se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk parashikon kompetenca ekzekutive, transmeton Insajderi.

Sipas saj, kjo çështje e cila ishte pikë kyçe në dialog, u përdor nga kryeministri Albin Kurti “kapital politik”, i cili zgjedhjet e 14 shkurtit i fitoi me mbi 50 për qind.

“Unë kam letrën e Mogherini, që garanton se Bashkimi Evropian e lexon ‘Marrëveshjen e Asociacionit’ si një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Kryeministri Kurti e ka kthyer Asociacionin në kauzë dhe mbi atë kauzë ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, tha Tahiri për Euronews Albania.

Madje sipas saj marrëveshja për Asociacion nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, po të ishte Gjykata Kushtetuese do e anulonte marrëveshjen. Formulimi nuk është në mospërputhje, por nuk është plotësisht në përputhje, shumë është e pak nuk është,” u shpreh ish-kryenegociatorja.

Ajo theksoi se Kurti gjendet në një situatë të vështirë, “pasi nëse zbaton Asociacionin tradhton njerëzit që e kanë zgjedhur”. /Insajderi.com