Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu “që të mos e bllokojnë me investime zonën e Drenicës, vetëm pse mendon ndryshe politikisht nga ju”.
Këtë thirrje Hoxha tha se e ka bërë pasi sipas tij, Qeveria Kurti nuk po i nisë punimet në zgjerimin e rrugës Komoran – Morinë.
“Edhe pse në Ligjin e buxhetit për vitet 2020 dhe 2021 janë ndarë mjete financiare për zgjerimin e ‘Rrugës Rajonale R102, Segmenti Komoran-Morinë’ me një gjatësi rreth 17 kilometra qeveria e kaluar, por edhe kjo aktuale nuk po nisin punimet në këtë project”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoxha tutje është shprehur se projekti i zgjerimit të kësaj rruge me katër korsi ka rëndësi te veçantë në aspektin historik dhe ekonomik, “së pari krijon mundësi më të lehta për të gjithë qytetarët të cilët në baza ditore vizitojnë kompleksin memorial në Prekaz”.
“Dhe së dyti ky projekt ka një rëndësi te veçantë për Drenicën sepse siguron transport më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave e në këtë mënyrë e ndihmon Drenicën dhe zhvillimin ekonomik te saj. Prandaj kërkoi nga qeveria që sa më shpejtë të fillon punimet për zgjerimin e kësaj rruge”./Insajderi.com