Paralajmërimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do ta vizitojë Kosovën për të bërë fushatë për zgjedhjet presidenciale, ka aktivizuar serbët lokalë që t’i përgjigjen thirrjes. Nga e kaluara është parë se zyrtarët e Serbisë, në çdo vizitë që ua kanë bërë serbëve lokalë në Kosovë, kanë mbajtur fjalime politike me mesazhe nacionaliste.
Banorët shqiptarë në disa komuna nëpër Kosovë, me theks të veçantë në fshatrat ku banojnë edhe serbët, kanë organizuar protesta, duke bllokuar rrugët, me arsyetimin që serbëve t’ua pamundësonin pjesëmarrjen në mitingun elektoral të planifikuar në Leposaviq.
Qeveria e Kosovës i kishte dhënë leje Vuçiqit për fushatë në Kosovë, por vetëm për tri orë. Kjo ka pezmatuar atë, i cili më pas e anuloi vizitën duke thënë se nuk i pranon kushtet e Prishtinës.
Protesta e shqiptarëve kishte për qëllim që t’i mbronin serbët lokalë nga mbushja me urrejtje dhe nacionalizëm të rremë nga Beogradi.
Një protestë e tillë është mbajtur sot në hyrje-dalje të fshatit Hoçë të Rahovecit, i cili është i banuar me shumicë serbe.
Pankartat që mbanin në duan nuk tregonin urrejtje ndaj serbëve.
“Ju i përkisni këtij vendi dhe jo Viçiqit”, “Vuçiq na lëtë rehat”, “Kosova është e të gjithëve”, ishin disa nga pankartat e protestuesve në Hoçë.
Pas pak kohe është liruar rruga.
“Ta ndërtojmë bashkë Kosovën”, ishte njëra ndër pankartat tjera aty.
Edhe këtu ishin mesazhe të njëjta “Vuçiq na lë rehat”, “Ju i përkisni këtij vendi dhe jo Vuçiqit”.
Aksion i ngjashëm ishte marrë edhe në fshatin Padalishtë të Istogut, në të cilin fshat ka banorë serbë. Kjo është konfirmuar edhe nga policia e Pejës.
“Këta persona kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve . Gjithashtu këta persona kanë mbajtur në duar flamuj të shtetit Kosovës dhe Bashkimit Evropian , si dhe pankarta me mbishkrime ” Vuçiq na lër të qetë “, “Ta ndërtojmë Kosovën së bashku” dhe pankarta me mbishkrimin ‘Ju i përkisni këtij vendi e jo Vuçiqi’ etj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme gjatë protestimit dhe protesta ka kaluar pa problem, me ç’rast edhe rruga është liruar për qarkullim.
Serbia është në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 2 prill të këtij viti. Ndër kandidatët është edhe kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com