Në Kosovë këtë vit u mbollën 20 mijë hektarë grurë më pak

Në Kosovë këtë vit u mbollën 20 mijë hektarë grurë më pak

Konkurrenca jo e drejtë në raport me prodhuesit e grurit të vendeve fqinje, importet e pakontrollueshme dhe mbështetja jo e kënaqshme e fermerëve nga ana e qeverisë kanë bërë që këtë vit Kosova të ketë afro 20 mijë hektarë grurë më pak të mbjellur.

Kështu u bë e ditur në tryezën e përbashkët të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës me Odën Ekonomike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se është koha kur duhet të fillohet me një kampanjë dhe të promovohen shembuj të cilët do të ndikonin në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimit vendës, ngase sipas tij gjatë vitit 2016 Kosova importoi para të gatshme afro 6 miliardë euro.

“Në vitin 2017 kemi afro 20 mijë hektarë më pak të mbjellur me grurë sesa në vitin 2016 dhe jemi këtu për të gjetur mënyrën se si të mbrohet prodhimi vendor. Dhe si përmes importit të mbrohet prodhimi vendor. Është koha të përdorim taktikat e vendeve të rajonit që për produktet tone jo vetëm të flitet por edhe të veprohet. Bujqësia është ajo që gjeneron vende të reja të punës. Është koha kur duhet të mbështetet fermeri i Kosovës për përmirësimin e bilancit të pagesave që është në një stad jo të lakmueshëm”, tha ai.

Nga analiza e Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës rrjedh se bujqit, prodhues të grurit në Kosovë janë gjithmonë të ekspozuar konkurrencës së padrejte të produkteve të grurit të cilët importohen në Kosovë.

Pal Gjuraj, nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit, tha se fermerët kosovarë po përballen me probleme të shumta, dhe kjo sipas tij ka bërë që të bie interesimi për kultivimin e këtij produkti.

“Edhe pse qeveria ka ndarë grande, nevojat e fermerëve janë edhe më të mëdha. Fermerët janë në vështirësi sepse nuk janë të barabartë me konkurrentët e shteteve për rreth. Kërkojmë që të vendosen banderolat në miell spese përmes tyre do të jemi në gjendje të dimë se sa importohet dhe sa prodhohet dhe në të njëjtën kohë të kontrollojmë cilësinë”, th ai.

Bashkim Fejzullahu nga Shoqata e Mullinjve të Kosovës, tha se është koha që të gjendet një zgjidhje ngase pretendon se kanë kapacitete të grurit të mjaftueshëm për vendin tonë,  bile edhe për eksport.

Ai thotë se importi i grurit nga Serbia i ka kushtuar shumë prodhuesit dhe konsumatorit i cili nuk e din as prejardhjen e miellit të cilin e përdor.

“Ne nuk mund të bëjmë zgjidhje për prodhuesit e grurit sepse mielli importohet edhe më lirë se ne mund të iu ofrojmë atyre. Qëllimi është që ne të prodhojmë dhe të ofrojmë cilësi. Ne mund të them se kemi mundësi kapacitet por populli duhet të jetë i vetëdijshëm që të përdor prodhimin vendor në mënyrë që edhe ne të mund t’i nxisim bujqit tanë që të mbjellin tokat”, tha ai