Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka njoftuar të martën se në Samitin në Antalia të Turqisë ku po marrin pjesë shtetet e rajonit, Serbia ka përdorur gjuhë fyese jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj të gjitha shteteve pjesëmarrëse, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se Serbia para të gjitha shteteve ka treguar se nuk është e gatshme për bashkëpunim rajonal “sepse akoma udhëhiqet nga njerëz që dikur ishin pjesë e qeverisë së Millosheviçit”.
Sipas saj, Turqia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia në notë proteste nuk i duartrokitën Serbisë dhe “qasjes së saj destruktive”.
Pacolli tutje është shprehur se në cilësinë e Kryesueses dhe në emër të Delegacionit nga Kosova ka kërkuar t’i përgjigjet Serbisë.
“Dje iu drejtova në gjuhën angleze por tani po zgjedhi të ju drejtohem në gjuhën shqipe në gjuhën të cilën shteti serb me dekada është përpjekur ta shuan. Ne anëtarët e delegacionit të Prishtinës që jemi prezent sot, dua të ju njoftoj, se ne e kemi parë vdekjen me sy kur ushtria serbe pamëshirshëm pati sulmuar Kosovën. Ne ishim fëmijë atëherë. U detyruam të ikim nga shtëpitë tona. Serbia ka vrarë të afërmit, shokët e shoqet tona. Ka masakruar fëmijë e gra. Serbia ka dhunuar mbi 20.000 gra”.
“Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila iu drejtua me një fjalë rasti sot në këtë Asamble ka pasur mundësi të drejtohet me një gjuhë tjetër ndaj Serbisë. Ajo ishte 13 vjeç kur në trupin e saj u shkrepën dhjetëra plumba. Ajo mbijetoi përkundër se në trupin e saj të njomë kishte 16 plumba. Por, ajo zgjodhi gjuhën e bashkëpunimit”, kishte thënë ndër të tjera ajo në fjalimin e saj./Insajderi.com