ORCA akuzon profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati për plagjiaturë

ORCA akuzon profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati për plagjiaturë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka hedhur akuza nëpërmjet një denoncimi anonim, ndaj profesorëve të Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, për plagjiaturë në punimin me titullin “Diplomacy through the ages of history: theoretical analyses of the concept”, të botuar më 2017, njofton Insajderi.

Dugolli dhe Kastrati janë të dy profesorë në Fakultetin Filozofik në Unversitetin e Prishtinës, ndërsa ky i fundit është zgjedhur edhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së.

“Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marr ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike. Pas raportit të Turnitin, hulumtuesit e ORCA-s i kanë filtruar vetëm pjesët e kopjuara pa fusnotë, dhe përsëri doli që një pjesë e konsiderueshme e punimit është e gjitha plagjiaturë”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.

“Për më tepër, Ardian Kastrati në vitin 2020 dhe Bujar Dugolli në vitin 2018, ishin avancuar duke e përdorur punimin në fjalë. Dhe vetëm falë këtij punimi, ata kanë arritur ta plotësojnë numrin e punimeve shkencore të nevojshme për avancim në pozitat e tyre aktuale, profesor asistent Ardian
Kastrati dhe Bujar Dugolli në pozitën profesor i rregullt”.

ORCA mes tjerash ka ftuar organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedura Disiplinore.

“Nëse kjo nuk ndodhë, i bie që universiteti nuk ka vullnet të merret me rastet e kësaj natyre, kështu duke i bërë dëm të pariparueshëm besimit të shoqërisë kosovare, se ky institucion si të gjitha institucionet publike në Kosovë, nuk duan rregull dhe ndryshim pozitiv”. /Insajderi.com