Bahtiri-Kurtit: Ura e Ibrit të lirohet sa më shpejt, po mbahet për çështje politike

Bahtiri-Kurtit: Ura e Ibrit të lirohet sa më shpejt, po mbahet për çështje politike

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje të gjithë krerëve të shtetit dhe ndërkombëtarëve që sa më shpejt të lirohet Ura e Ibrit, e cila ndanë pjesën e Mitrovicës së Jugut nga ajo veriore.

Duke ju drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ai tha se ura duhet të lirohet pasi sipas tij, po mbahet vetëm për çështje politike.

“Unë bëj apel te të gjithë qytetarët të pjesës së veriut por edhe të gjithë ndërkombëtarëve po ashtu edhe kryeministrit Kurti që sa ma shpejt të lirohet kjo urë, për arsye se kjo mbahet vetëm për çështje politike dhe asgjë tjetër, nuk ka të bëj asgjë me siguri.

Ashtu siç po e shihni edhe ju se ka lëvizje të lirë të qytetarëve, asnjë problem dhe vetëm që 8 vite kemi vetëm 8 incidente. Unë dëshiroj që edhe kjo urë të jetë e lirë edhe për makina sepse nuk ka asnjë arsye se kjo urë të jetë e bllokuar”, theksoi Bahtiri.

Ai në një lidhje të drejtpërdrejt për ATV-në, foli në lidhje me rolin e Francës për shtetin e Kosovës, ndërhyrjet e saj gjatë luftës në Kosovë si dhe për rolin e KFOR-it francez në veri.

“KFOR është një organizatë e përbashkët për ruajtjen e rendit jo vetëm në pjesën e Mitrovicës, apo të Kosovës por të gjithë botës, është e dijshme që kjo pjesë ka qenë e KFOR-it francez dhe jemi në këtë situatë ku kjo urë ende nuk është e liruar, që është një politikë jo reale. Derisa të mbahet peng kjo urë për të mos u liruar për shkak të disa njerëzve, të cilët kanë në kokat e tyre një fotografi tjetër të Kosovës dhe pretendohet që në këtë urë të ndahet Republika e Kosovës me atë të Serbisë por kjo nuk do të ndodh kurrë, asnjëherë”, tha Bahtiri./Insajderi.com