Kurti e fton Macronin për vizitë në Kosovë

Kurti e fton Macronin për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar presidentin francez, Emmanuel Macron, për kontributin që ka dhënë Franca për Kosovën, si dhe e ka ftuar që ta vizitojë këtë të fundit, njofton Insajderi.

Në një konferencë të përbashkët me Macronin, para Pallatit Elysee, Kurti u shpreh se sado e vogël që është Kosova ka për qëllim që ta organizojë ndërtimin e plotë institucional si Franca.

Para nisjes së takimit me presidentin francez, shefi i qeverisë kosovare garantoi se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike.

“Jam i privilegjuar të jem këtu me ju, presidentin e një shteti të fuqishëm dhe me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë. Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministri i shtetit më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial të Francës për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike. Duhet t’iu shpreh edhe një herë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendosët në kuadrin e aleancës euroatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët”.

“Ndihem i nderuar që do të kem mundësinë të flasë me ju për zhvillimet e Kosovës dhe mbi angazhimet tona qeveritare. Sado i vogël shteti jonë ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha historike mes të cilëve një prej modeleve më të mira është Franca”./Insajderi.com