Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf beach properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës, transmeton Insajderi.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, thotë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.
“Duke u gjendur para këtyre rrethanave, konform legjislacionit të Malit të Zi, ne kemi ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë, për shkak se Kosova tash e sa vite nuk është duke e shfrytëzuar, mbase juridikisht është pronë e Kosovës, që e dëshmojnë edhe dokumentet kadastrale atje”, thotë Istrefi, raporton REL.
Ai thotë se nuk ka asnjë problem politik ndërmjet shteteve dhe se kjo është vetëm një procedurë civile.
“Kosova në asnjë formë, e aq më pak Ministria e Drejtësisë apo Avokatura e Shtetit, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj shtetit të Malit të Zi, për ndonjë procedurë apo veprim qeveritar që mund të ketë ndikime të dy shtetet. Kjo është krejt e kundërta e asaj, për shkak se kjo është një procedurë civile”, thotë Istrefi.
Nga ana tjetër, Sekretari i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës në Komunën e Budvës, Nikolla Pllamenac, thotë se përmes padisë, kërkohet të përcaktohet se Kosova është pronare e asaj prone.
“Si provë, ata kanë propozuar një marrëveshje për shitblerje nga vitet 1960 në Kotor, me të cilën [prona] është blerë nga Këshilli për Çështjet Sociale, Politike dhe Komunale i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thotë Pllamenac.
“Në padinë e tyre, ata i janë referuar Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ne jemi thirrur në atë rezolutë, në UNMIK dhe në Rregulloren për kompetencat e administratës së përkohshme në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Sipas mendimit tonë, këto rregullore nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, sidomos në rrethanat kur lënda ka të bëjë me disa përvetësime ose me ushtrimin e së drejtës në patundshmëri. Në këto raste, çështja drejtohet nga ligji i vendit ku ndodhet”, thotë Pllamenac. /Insajderi.com