Deputetja e PDK-së: Gërvalla më tha se “marrëveshja e Uashingtonit është kundër interesave të Kosovës”

Deputetja e PDK-së: Gërvalla më tha se “marrëveshja e Uashingtonit është kundër interesave të Kosovës”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, pohoi se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka kthyer përgjigje me shkrim për pyetjen e saj parlamentare rreth pozicionit të Qeverisë për marrëveshjen e Uashingtonit.

Në letrën që Musliu-Shoshi citon Gërvallën thuhet se “marrëveshja e Uashingtonit është kundër interesave të Kosovës.

“Unë sot po ndaj me ju qëndrimin e ministres Donika Gërvalla për marrëveshjen e Uashingtonit. Citoj, ajo këtë marrëveshje e konsideron si të pamenduar mirë, të panevojshme, e cila nuk i respekton interesant e Kosovës, nuk e respekton sovranitetin e shtetit tonë, se kjo marrëveshje përmban zotime që shkaktojnë pasoja afatgjate për shtetin e Kosovës, se për të nxjerr konkluzione për këto qëndrime duhet që të bëjmë dialog me miqtë tanë dhe se kjo nuk është marrëveshje e mirëfilltë ndërkombëtare dhe si e tillë palët nuk i obligon ligjërisht”, ka thënë ajo në Kuvendin.

Po ashtu, sipas deputetes së PDK-së, Gërvalla ka përmendur edhe ambasadën e Kosovës në Jerusalem që ka gjetur kundërshtim nga Bashkimi Evropian.

“Ministrja Gërvalla vazhdon të thotë më tutje se marrëveshja për njohjen në Jerusalem ka shkaktuar fërkime me partnerët tanë evropian dhe me gjerë dhe arsyetohet se për shkak të irritimeve diplomatike, qeveria Kurti ta marr të qenë dhe të mos kërkojë rivendim të ambasadës por zotohet se Kosova është për vendosjen e marrëdhënieve të mira diplomatike”, ka thënë Shoshi. /Insajderi.com