Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi të enjten mbrëma se konventa zgjedhore për kryetarin e ri të partisë që pritet të mbahet më 3 korrik, nuk është përpjekje për ta zëvendësuar ish-kryetarin Kadri Veseli apo ish-presidentin Hashim Thaçi, të cilët ndodhen në Hagë, njofton Insajderi.
Sipas tij, zgjedhjet e brendshme të partisë janë “një mesazh se vetëm një PDK e fortë, e fuqishme politikisht dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më e fortë, me udhëheqësit e saj më të fuqishëm dhe shtetin e Kosovës të përmbushur”.
“Faleminderit të gjithë anëtarëve për mbështetjen, bashkëpunëtorëve e lidershipit të partisë. Në angazhimin tim politik çdo herë kam qenë vetvetja dhe i kam shërbyer një kauze më të madhe që është Kosova dhe PDK, duke mos e parë asnjëherë statusin dhe pozitën si vizion por të kundërtën. Shteti jonë i pavarur, dhe roli thelbësor i PDK-së në shtetndërtim është vizioni jonë përbashkues”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
Enver Hoxhaj dhe kryesia e PDK-së kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në parti të enjten e 24 qershorit.Top of Form/Insajderi.com