Afër 24 mijë maturantë të shtunën do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore, shkruan Insajderi.
Shefi i divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, ka deklaruar se tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij testimi.
“Testi i Maturës mbahet më 26 qershor, ditën e shtune. MASHTI i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testi, janë caktuar administratorët e testit në koordinim me drejtoritë komunale janë caktuar komisionerët dhe mbikëqyrësit e testi. Ketë vit maturën e kanë paraqitur diç më pak se 24 mijë maturantë, janë 177 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë ai.
Ai shtoi së për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore do të kujdesen 550 komisionerë dhe në një klasë nuk do të jenë më shumë se 15 nxënës.
“Në qendër të testimit është një përfaqësues i MASHTI-t, dy nga drejtoritë komunale të arsimit dhe janë dy mbikëqyrës…Në nivel vendi janë diku rreth 550 komisionerë, 550 mbikëqyrës. Përpos tyre është edhe një vëzhgues në çdo qendër i cili bënë vëzhgimin e mbarëvajtjes së testit…Shumica e klasave i kanë nga 12 nxënës, maksimalisht janë 15 nxënës në një klasë, varësisht prej hapësirës që janë në shkolla”, ka shtuar ai për ‘KP’.
Elezi bëri të ditur se maturantët do të kenë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë të cilën e zgjedhin vet maturantët.
Provimi i maturës shtetërore edhe këtë herë ka kriter kalueshmërie, ku maturantët duhet të kenë të pakën 40 përgjigje të sakta në mënyrë që të kalojnë testin.
“Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar kemi vendosur që testi të organizohet vetëm në një ditë, do të thotë edhe lendet e përgjithshme edhe lënda me zgjedhje janë në të njëjtën ditë me gjithsej 100 pyetje. Janë katër lëndë, tri lëndë të përgjithshme, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë që e zgjedh vet nxënësi. Të gjitha lëndët i kanë nga 25 pyetje”, ka pohuar ai.
Me qëllim të parandalimit të çfarëdo keqpërdorimi, Elezi tha se nxënësit nuk do të lejohen që në qendër të testimit të futen me telefona. Në raste se dikush zihet me telefon gjatë kohës së testimit, ai thotë se i njëjti do të përjashtohet nga testimi./Insajderi.com