Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim nënsekretarin e shtetit finlandez për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kai Sauer, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi e liberalizimin e vizave për Kosovën, njofton Insajderi.
Abdixhiku e njoftoi Sauer për prioritetet e tij, në zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale.
I pari i LDK-së e falënderoi shtetin e Finlandës dhe Ambasadorin Sauer për angazhimin e tij personal për Kosovën.
Sauer shprehu gatishmërinë e shtetit finlandez për përkrahjen e Kosovës në proceset e saj integruese dhe zhvillimore.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit me shtetet mike rreth fuqizimit të pozicionit të Kosovës për njohje dhe anëtarësime. /Insajderi.com