Eurodeputetja franceze pas takimit Kurti-Macron: Kosova është e “rrënuar nga krimi dhe islami radikal”

Eurodeputetja franceze pas takimit Kurti-Macron: Kosova është e “rrënuar nga krimi dhe islami radikal”

Deputetja franceze e Parlamentit Europian, Dominique Bilde, ka shfaqur kritika për pritjen që i është bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee në Paris, shkruan Insajderi.

Bilde e cila vjen nga partia e ekstremit të djathtë në Francë – Fronti Kombëtar – shkruan në ‘Twitter’, se Macron po i hap derën Kosovës, e cila sipas saj nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së dhe ”është rrënuar nga krimi dhe islami radikal”.

”Nuk njihet nga pesë shtete anëtare, i rrënuar nga krimi dhe islami radikal, Kosova do të ishte gjithsesi e mirëpritur në BE. Ne pyesnim veten se çfarë do të ketë pas Brexit-it. Tani kemi përgjigjen”, ka shkruar ajo.

Kjo qasje e saj vie teksa ka ndarë një artikull të gazetës franceze ‘Le Figaro’, për takimin Kurti-Macron në Paris, ku shkruan se presidenti francez po i hapë dyert Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur  dje në takim nga presidenti francez, Macron i cili i kishte dërguar ftesën para tre muajsh pasi që Kurti kishte fituar zgjedhjet e 14 shkurtit./Insajderi.com