MSH premton se do të përshpejtojë vaksinimin në masë nga java e ardhshme

MSH premton se do të përshpejtojë vaksinimin në masë nga java e ardhshme

Ministria e Shëndetësisë ka premtuar se nga java e ardhshme do të përshpejtojë procesin e imunizimit masiv kundër Coronavirusit.

Sipas këtij dikasteri, gjatë javës së ardhme ose edhe më herët, do të vijnë doza të tjera në numër më të madh se deri tani.

‘’Doza të tjera vijnë gjatë javës që vjen, ndoshta edhe më herët, me numër shumë më të madh se deri tani dhe vaksinimi masiv do të jetë shumë më dinamik nga java tjetër e tutje deri në arritjen e objektivit të përcaktuar për vaksinimin e 60% të popullatës që duhet vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19’’, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Kohën.

MSH-ja ka shtuar se ‘’në stokun e saj ka sasi të konsiderueshme të vaksinave për të siguruar secilin që ka marrë dozën e parë që ta marrë edhe të dytën, por edhe për të vaksinuar të tjerë me dozën e parë’’.

Terminet për vaksinim deri më datën 29 qershor janë mbushur nga kategoritë prioritare në këtë fazë, thotë tutje MSH-ja.

Ministria që drejtohet nga Arben Vitia gjithashtu është zotuar për më tepër termine nga java e ardhshme për qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen./Insajderi.com