23 mijë e 651 është numri i nxënësve të cilët sot, e shtunë, do t’i nënshtrohen testit të Maturës Shtetërore 2021, njofton Insajderi.
Testi do të mbahet në 177 qendra, ndërsa në proces janë angazhuar mbi dy mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës dhe 200 vëzhgues.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët kanë njoftuar se rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik.
Me këtë rast, Zëvendësministri i MASHTI-t, Dukagjin Pupovci i ka ftuar prindërit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos i lejojnë fëmijët që të marrin telefona në testim, pasi secilit maturant të cilit i gjendet telefoni do të largohet nga provimi.
”Pupovci po ashtu i ka lutur administruesit dhe mbikëqyrësit që të jenë në nivel të detyrës dhe të mos lejojnë që të vihet në pikëpyetje besueshmëria e provimit. Ndër të tjera, zëvendësministri Pupovci ka rikujtuar se gjatë kësaj jave është miratuar Nisma për marrëveshjen për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës në Programin “Horizon Europe”, e që është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit, si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MAShTI dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), projekt i cili do të kontribuojë në sistemin e arsimit të lartë dhe të kërkimeve shkencore në Kosovë”, thuhet në njoftim./Insajderi.com