Përfundon Provimi i Maturës Shtetërore, rezultatet shpallen më 5 korrik

Përfundon Provimi i Maturës Shtetërore, rezultatet shpallen më 5 korrik

Mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shkruan Insajderi.

MASHTI, përmes një komunikate për medie ka njoftuar se mbajtja e provimit ka përfunduar në 177 qendra të testimit në gjithë vendin, si dhe në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues.

Të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Më tej, thuhet se mbajtja e provimit ka filluar në orën 10:00 ashtu siç ka qenë e paraparë, njoftoi MASHTI.

“Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa të rrepta si ndaj administrueseve, ashtu edhe ndaj nxënësve”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, “Anëtarët e Komisioneve në qendrat e testimit, administruesit, mbikëqyrësit dhe vëzhguesit e Provimit të Maturës që kanë shkelur rregullat e administrimit të testit do të ndëshkohen për kundërvajtje në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, po të njëjtit të cilët kanë zbuluar sekretet e testit do të ndëshkohen me gjobë në të holla prej 1000 deri në 3000 euro, si dhe me masa disiplinore dhe penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës.Secilit nxënës që i është zënë telefoni është larguar nga procesi i testimit dhe i është anuluar provimi i maturës shtetërore”,njoftoi MASHTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik./Insajderi.com