Drejtori i Policisë në Shkodër, Niko Brahimaj ka thënë se ngjarja ku u vranë katër persona dhe u plagosen dy të tjerë ka ndodhur për “motive të dobëta”, pasi viktimat dhe të plagosur janë pronar hotelesh dhe u konflikuan për zonën që do të shfrytëzonin në plazhin e Velipojës, për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve, shkruan Insajderi.
Ai deklaroi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongeve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen katër persona dhe janë plagosur dy persona”, ka shtuar ai për ‘TvKlan’.
Ai ka thënë më tej, se policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë.
“ Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë”, u shpreh Brahimaj./Insajderi.com