Kurtit paraqet katër qëndrimet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Kurtit paraqet katër qëndrimet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur katër qëndrime të qeverisjes së tij në raport me marrëveshjen përfundimtare në dialogun me Serbinë, shkruan Insajderi.

Ai në hapje të mbledhjes së 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia me një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme vetëm atëherë kur e ka formën dhe përmbajtjen e marrëveshjes ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatin.

Kurti me tej, ka shtuar se dialogu nuk është për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe se pavarësia që ka Kosova është kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që sipas tij nuk ndodhi asnjëherë.

“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin e BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht por dialogu nuk është për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë, dhe e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis, e kemi shpallur para 13 vjetëve dhe 4 vjetët e para, pavarësia e kishte Pieter Feithin sipër si autoritet sovran ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së por që nuk ndodhi asnjëherë”, ka thënë Kurti./Insajderi.com