Enver Hoxhaj, para mbledhjes së këshillit drejtues së Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur për mediave rreth kandidaturës së tij të mundshme për kreun e kësaj partie, shkruan Insajderi.
Ai deklaroi se prej të hënës do ta mendojë kandidaturën, derisa tha se garë mbrenda PDK-së nuk ka.
“Nuk është gara mes nesh, sepse PDK-së i duhet pushteti në nivel qendror, pasi qeveria aktuale e zotit Kurti, e cila është autoritare dhe po e dëmton çdo ditë vendin. Ku keni dëgjuar në Evropë në 70 vjetët e fundit i cili kur pyetet për një dokument të administratës amerikane thotë se ende nuk e kam lexuar, më leni ta lexojë, mund të shihni se çfarë mendimi kanë. Prandaj për mua është një javë vendimtare dhe prej të hënës të mendoj për kandidaturën”, ka thënë Hoxhaj.
Ai tha se qëllimi i konventës zgjedhore është kthimi i PDK-së si parti e parë në nivel të vendit dhe se kjo parti do të synojë rikthimin e shumicave të komunave.
“Pritja jonë kryesore është rikthimi ynë në shumë komuna të Kosovës dhe konventa është në funksion të përgatitjes për zgjedhjet lokale dhe ju do ta shihni se më 17 tetor PDK do të rikthejë shumicën e komunave duke filluar nga Mitrovica e deri në Prizren me kandidatët më të mirë”, ka thënë Hoxhaj.
Për më tepër Hoxhaj tha se për postin e kryetarit të PDK-së mund të kandidojnë të gjithë anëtarët e kësaj partie, ndërsa nuk ka dashur të zbulojë nëse këto kandidatura do të shpalosen në mbledhjen e sotme të Këshillit drejtues të partisë.
“Çfarë unë kam bërë sa kam qenë kryetar në detyrë, kam ftuar publikisht, por ajo nuk ka qenë vetëm një farsë se jam demokrat, por i kam ftuar publikisht kolegët në strukturat e PDK-së, çdo anëtar i devotshëm që ta konsiderojë kandidaturën e tij, por kandidatura e secilit që mund të garojë, duhet të matet me fuqinë e votës më 3 korrik, por duhet të matet me zgjedhjet nacionale a do ta bëjë PDK-në parti të parë nacionale në vend”, u shpreh Hoxhaj.
Këshilli drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sonte për të diskutuar rreth konventës zgjedhore më 3 korrik, ku do të zgjidhet kryetari i ri.
Ndryshe, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj kanë dhënë dorëheqje kohë më parë nga pozitat aktuale për shkak të mbajtjes së Konventës së partisë më 3 korrik./Insajderi.com