Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ish-policit Shefki Spahiut për vrasjen e të riut, Jetmir Aliaj, në një kazino në Suharekë.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të akuzuarit Sh.S. për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 dhe nënpar.1.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe veprës penale manipulim me provat nga neni 397 par.1 të KPRK, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 20 maj 2021, me shumicë të votave, aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sh.S., vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 dhe nënpar.1.6 të KPRK, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni179 par.1 nënpar.1.4 të KPRK. Në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar”, thuhet në njoftim.
Supremja ka njoftuar se në seancën publike të kolegjit, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i akuzuari Shefki Spahiu, mbrojtësi i tij, avokati E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat A.R., të dëmtuarit H.A., e A.A. Prokurori i Shtetit nuk mori pjesë në këtë seancë, por me parashtresë, propozoi që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimet të vërtetohen.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit PA.II.nr.3/2021, vlerësoi rrethanat rënduese, të cilat i kanë marrë në konsideratë gjykatat më të ulëta, por theksoi posaçërisht rrethanat si në vijim; se vepra penale është kryer me shkallën e lartë të dashjes, i akuzuari ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe se vepra është kryer me armë zyrtare, rrethanë e cila vlerësohet si posaçërisht rënduese nga fakti se vet pozita e të akuzuarit ka shkaktuar pasoja jo vetëm ndaj viktimës, por edhe te besimi në institucionet e sigurisë dhe të qytetarëve në përgjithësi, pastaj rrethanat nën të cilat është kryer vepra pa ndonjë motiv, viktima ka qenë person i pambrojtur dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet, sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale, duke tentuar fshehjen e krimit dhe asgjësimit të provave, faktin se viktima ka qenë e moshës së re, i martuar dhe prind i fëmijëve të mitur”, thuhet në njoftim.
Ndaj, “në rrethanat e sipër-cekura dhe në mungesë të rrethanave lehtësuese”, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se “nuk do të mund të justifikojë shqiptimin e ndonjë dënimi më të butë se ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”.
Jetmir Aliaj, nga fshati Mushtisht i Suharekës, është vrarë në vendin e tij të punës me armë zyrtare paraditen e 17 marsit të 2019-s në një kazino afër rrugës për në fshatin Reshtan.
Disa ditë pas kësaj vrasjeje, me iniciativë të kryetarit të Suharekës, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e të gjitha kazinove. /Insajderi.com