Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar dy raste me variantin Delta i COVID-19, nga 22 mostra të dyshimta që ishin dërguar për analizë në Berlin, shkruan Insajderi.
MSH përmes një njoftimi ka bërë të ditur se të dy rastet kanë shfaqur simptoma por që tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi.
“Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e Institut Kombëtar të Shëndetit Publik, tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, njofton MSH.
MSH thekson se varianti Delta u detektua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më brengosës në rruzullin tokësor.
“Masat parandaluese janë të njëjta. Individët të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim./Insajderi.com