Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkurën ka mbajtur konferencë për media për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti, ku ka hedhur një varg kritikash dhe akuzash, njofton Insajderi.
Sipas tyre, gjatë kësaj kohe kjo qeveri u ofruar strehë familjarëve dhe aktivistëve të saj në poste publike.
Shqipe Mjekiqi, koordinatore e departamentit për Politikë të Jashtme ka thënë se dialogu doli të ishte prioriteti numër një i Qeverisë Kurti, pavarësisht që deklaronte se është i shtati në listën e prioriteteve.
“Dialogu është reduktuar në çështje teknike. Qeveria bëri përpjekje që të iu ikte obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Ëashingtonit. Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të deklarimeve të pamatura. Kishte edhe aprovim të marrëveshjeve ndërkombëtare që e diskriminojnë Kosovën”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Izet Sadiku nga Komiteti për Shëndetësi, tha se programi i Qeverisë Kurti për shëndetësinë ishte vetëm dy faqe.
Ai shtoi se është premtuar vaksinimi masiv nga 15 qershori, por deri tani vetëm 2% të qytetarëve janë vaksinuar.
“Ne deri sot kemi vetëm 2% të qytetarëve të vaksinuar, kurse nga fillimi vetëm 9,4% kanë arritur të marrin dozën e parë të vaksinës. Qëllimi i vaksinimit në botë janë afatet e shkurta kohore e jo të gjata. Vendet e rajonit edhe pse i kane vaksinuar për kohë të shkurtër qytetarët kanë pasur probleme”, tha Sadiku.
Shkëmb Manaj nga departamenti për rend ligj dhe siguri, ka thënë se kjo qeveri nga ‘qeveri e ndryshimit’ është kthyer në ‘qeveri të zhgënjimit’.
“Një parti që fiton pushtetin absolut duhet të ketë kuadro profesionale për zbatimin e programin. Në këtë qeveri këto kuadro po dalim të jenë familjarë. Vetëm në vendin tonë ndodh që ministrja e drejtësisë të ushtroj këtë detyrë duke u përballur me një proces gjyqësor. Gjatë 100 ditëshit të qeverisjes nuk është marrë asnjë masë konkrete për integrimin e veriut e as për fuqizimin e ushtrisë e policisë”, ka thënë ai./Insajderi.com