Deputetët kanë bërë shqyrtimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës” në seancen e sotme të Kuvendit, shkruan Insajderi
Deputeti i Lëvizjes Vetëvëndosjë, Eman Rrahmani ka thënë se ka vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në shkolla profesionale, për shkak të mungesës së një analizë.
“Një numër i madh i profileve nuk janë shikuar që nga viti 2013. Mungesa e një analize dhe relevance të drejtimeve profesionale është një nga vështirësitë e zhvillimit të mësimit”, është shprehur ai.
Ndërsa, Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është shpresëdhënëse që pas tranzicionit në Kosovë vëmendje e veçantë do u kushtohet nevojave të arsimit.
Gjithashtu Hoxha ka kërkuar më shumë buxhet dhe stimulim për nxënësit e shkollave profesionale.
“Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm ndërtimi i sistemit arsimor gjithëpërfshirës. Të zgjerohet bashkëpunimi ndërinstitucional të orientohen nxënësit në drejtimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Më shumë buxhet e fokus për stimulimin e nxënësve për shkollim në shkolla profesionale” është shprehur ajo.
Kurse kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se akoma në Kosovë ka një stigmatizim të shkollave profesionale e mungesë të hapësirave nga bizneset për punë praktike të nxënësve.
Sipas Golës në Kosovë ka mospërputhje të shkollimit me nevojat e tregut me rreth 53 për qind.
“Kemi të bëjmë me një destabilizim radikal të strukturës së punësimit. E para është shpejtësia e ritmit të ndryshimit dhe punët që kërkojnë gjithmonë e më shumë standarde më të larta. Në Kosovë kemi rreth 53 për qind mospërputhje të shkollimit me nevoja të tregut”, ka deklaruar ai./Insajderi.com