Policia dhe Prokuroria deklarohen pas arrestimit të kryeshefit të KPM-së, Luan Latifi

Policia dhe Prokuroria deklarohen pas arrestimit të kryeshefit të KPM-së, Luan Latifi

Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, ishte në dijeni për keqpërdorimin dhe marrjen e ryshfetit nga zyrtarët e këtij komisioni dhe për kushtëzimet, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e përbashkët për media të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas pranimit të informatës për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ftuar për intervistim edhe të dyshuarin e dytë me iniciale L.L., Kryeshef në KPM.

“Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të këtyre dy institucioneve, me këto veprime – personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

“I dyshuari L.L., me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh. Po ashtu, ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit me inicialet A.B., prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet më tej në njoftim. /Insajderi.com