Nagavci: Asnjëra nga shkollat ku nuk janë miratuar profilet mjekësore nuk kanë pasur vendim për punë

Nagavci: Asnjëra nga shkollat ku nuk janë miratuar profilet mjekësore nuk kanë pasur vendim për punë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka sqaruar vendimin për mos-aprovim të drejtimeve mjekësore në disa shkolla profesionale nëpër komuna, shkruan Insajderi.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka thënë se asnjëra nga shkollat nuk ka pasur vendim dhe secilës komunë i është dërguar nga një letër sqarimi nga MAShTI.

“Si Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ditëve të fundit kam pranuar ankesa nga disa komuna në lidhje me mos aprovimin e drejtimeve mjekësore në shkollat profesionale. Sipas raporteve të inspektoratit dhe DKA-ve, asnjëra nga shkollat për të cilat nuk janë miratuar profilet mjekësore, nuk kanë pasur Vendime”, ka deklaruar ajo.

Ajo më tej, tha se të njëjtat, mund të parashtrojnë kërkesë me shkrim për hapjen e profileve mjekësore për vitin shkollor 2021/2022, deri me datë 12.07.2021, përmes arkivit të MASHTI si dhe komisioni do t’i verifikojë dhe nëse i plotësojnë kushtet do të vazhdojnë punën në muajin gusht.

“Dua ta bëj të qartë se të gjithë personat të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë mundësuar zhvillimin e mësimit duke rrezikuar diplomat e nxënësve do të mbahen përgjegjës“, ka shkruar ajo./Insajderi.com