Pejë: Dy vjet burgim për burrin që rrahu bashkëshorten e tij

Pejë: Dy vjet burgim për burrin që rrahu bashkëshorten e tij

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.D për kryerjen e veprës penale lëndim i lehtë trupor, shkruan Insajderi.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore në Pejë thuhet se i pandehuri A.D i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore bashkëshortes së tij me dashje dhe në gjendje të dehur.

“Më parë e gjer me datë 16.09.2020, rreth orës 23:20, brenda marrëdhënies familjare, në gjendje të dehur dhe me dashje, me mjet të përshtatshëm që mund të shkaktojë lëndime të rënda trupore, viktimës së ndjeshme të cilën e ka bashkëshorte, i shkakton lëndime të lehta trupore, në atë mënyrë që, natën kritike kur i pandehuri ishte kthyer në banesën e tyre, i pandehuri fillimisht i drejtohet me fjalë ofenduese, e pastaj e godet me boksa dhe shkelma dhe pastaj me mjet të fortë e godet në hundë, me të cilën i shkakton gjakderdhje të mëdha nga hunda dhe goja dhe mezi kishte arritur ta ndal gjakderdhjen në kushte shtëpie, pasi i njëjti e kishte privuar viktimën që të trajtohet nga mjekët”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Të pandehurit A.D gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej dy vite, e të cilin dënim i pandehuri do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“I pandehuri u obligua që ne emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro si dhe ne emër te programit të kompensimit të viktimave të krimit, të paguaj shumën prej 30 euro, në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil. Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit pas shpalljes së aktgjykimit konform nenit 367 par.3 lidhur me nenin 187 par.1 nënpar 1.2 pika 1.2.3 të KPRP-së”, vijon njoftimi.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com