Ministria e Shëndetësisë, sot ka pranuar pesë autoambulanca të reja për shërbimet emergjente të Kujdesit Parësor Shëndetësor, të blera nga huamarrja e Bankës Botërore dhe të prokuruara nga UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekte), shkruan Insajderi.
Në një njoftim në faqen e ministrisë thuhet së autoambulancat e reja do të ndihmojnë në avancimin e shërbimeve emergjente shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor për komunat përfituese: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Mitrovica dhe Gjilani.
Vlera e këtyre autoambulancave është 347 mijë e 490 euro.
“Vlera financiare e këtyre autoambulancave të tipit: Advanced Life Support, arrijnë shumën prej 347 mijë e 490 Euro dhe ato do të lehtësojnë transportin e pacientëve nga niveli parësor i kujdesit shëndetësor në nivelet e tjera, në kushte më të avancuara dhe më të sigurta”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Shpërndarja e automjeteve të ndihmës së shpejtë do të realizohet në ditët në vijim, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështes në vazhdimësi fuqizimin e ofrimit të shërbimeve emergjente në Qendrat Shëndetësore të vendit./Insajderi.com