MASHTI mbyll drejtimet mjekësore në disa komuna, këto të fundit thonë se nuk janë paralajmëruar

MASHTI mbyll drejtimet mjekësore në disa komuna, këto të fundit thonë se nuk janë paralajmëruar

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar të premten për mbylljen e drejtimeve mjekësore në disa komuna të Kosovës. Sipas MASHTI-t komuna e Drenasit, Podujevës, Klinës , Deçanit, Rahovecit dhe Dragashit nuk kanë përmbushur kriterin për akreditim të drejtimeve mjekësore dhe si të tilla kanë rezultuar me mbyllje të tyre, mirëpo komunat në fjalë deklarojnë se nuk janë paralajmëruar për këtë vendim.

Drejtor i drejtorisë së Arsimit në komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi ka thënë se vendimin e ministrisë e ka kuptuar të hënën pa paralajmërim paraprak.

Ai deklaroi se kjo komunë ka bërë ankesë në Ministrisë e Arsimit dhe pret përgjigje nga ta.

“Nuk kemi marrë asnjë koment të vetëm dhe papritmas para dy ditëve jam njoftuar që nuk janë paraparë këto dy profile ne Drenas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit se nga MAShTI nuk janë të planifikuara këto dy profile ne menjëherë i kemi dërguar Ministrisë kërkesë/ankesë për këto dy profile”, ka pohuar ai.

Gjoka theksoi se interesimi i nxënësve në komunën e Drenasit për këto drejtime është i madh dhe sipas tij, kjo komunë do të humbasë shumë nxënës në rast të mosakreditimit nga MASHTI-i.

Në anën tjetër drejtori i Ministrisë së Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, për redaksinë ka thënë se këto paralele veprojnë që nga viti 2010 në këtë komunë dhe për këtë shkak ata kanë kërkuar që të bëhet shndërrimi i shkollës “Isa Boletini” në institucion IAAP.

“Paralelet e tilla veprojnë se paku nga viti 2010, në kuadër të shkollës së ‘Ali Sokoli’ .Ne kemi bërë kërkesë për shndërrimin e shkollës Isa Boletini në Institucion IAAP. Jemi në rrugë të mirë për ta realizuar”, ka deklaruar ai, ndërsa nga MASHTI kanë deklaruar se kjo komunë asnjëherë nuk ka pasur vendim për hapjen e këtyre profileve, bazuar në kërkesat ligjore.

Një ndër komunat e prekura nga ky vendim është edhe ajo e Deçanit. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Bekim Vishaj, ka thënë se kanë bërë kërkesë për aprovimin e profileve për këtë vit shkollor, por janë refuzuar.

“Kemi bërë kërkesë për këtë vit shkollor, të premten vonë me shkrim na kanë lajmëruar, së kërkesa jonë nuk është aprovuar”.

Ai më tej, ka thënë se kanë bërë ankesë dhe presin që të marrin përgjigje pozitive nga Ministria e Arsimit, pasi që interesimi për të studiuar drejtimet mjekësore është i madh.

“Për mbulojën e profileve mjekësore në këtë komuna MASHTI ka thënë së shkolla ‘Tafil Kasumaj’, nuk ka pasur aprovim as vendim për lejimin e profileve mjekësore. Vendimi paraprak ka vlejtur për vitin shkollor 2019/2020”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë së secilës prej këtyre komunave ju është dërguar nga MASHTI nga një letër e veçantë me sqarimet, udhëzimet dhe bazën ligjore të cilën duhet ta ndjekin nëse kanë dëshirë të vijojnë me profilet e caktuara.

“Të njëjtat, mund të parashtrojnë kërkesë me shkrim për hapjen e profileve mjekësore për vitin shkollor 2021/2022, deri me datë 12.07.2021, përmes arkivit të MASHTI. Komisioni do t’i verifikojë dhe nëse i plotësojnë kushtet do të vazhdojnë punën në muajin gusht”, ka theksur Nagavci.

E para e Arsimit më tej, ka thënë se të gjithë personat të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë mundësuar zhvillimin e mësimit duke rrezikuar diplomat e nxënësve do të mbahen përgjegjës. /Insajderi.com