Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen që nga e enjtja në listën “e gjelbër” epidemiologjike të Austrisë, transmeton Insajderi.
Sipas udhëzimit të ri nga Vjena, qytetarëve të këtyre vendeve do t’u lejohet hyrja në Austri, raporton ‘cdm.me’.
Deri më tani hyja në këtë vend u lejohej vetëm udhëtarëve nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilat veçse ishin në listë të gjelbër, ndërsa që nga e enjtja këtë mund ta bëjnë edhe qytetarët nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Vizitorët nga vendet e sigurta epidemiologjike mund të hyjnë në Austri pa pasur nevojë që të karantinohen po që se posedojnë certifikatat e vaksinimit me kurat e miratuara nga Agjencia Evropiane për Barna.
Pasagjerët që vijnë nga vendet e listës së gjelbër, në këtë rast edhe Kosova nga e enjtja, nuk duhet të plotësojnë regjistrimin elektronik para udhëtimit./Insajderi.com