Gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Prishtinë, njofton Insajderi.
Clark në Kosovë do të vijë me ftesë të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai do të pritet në nivelin më të lartë ceremonial ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në këtë ditë të veçantë, kur po festojmë 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të ju njoftoj se me ftesën time zyrtare, më datën 7 Korrik, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të vijë në vizitë gjenerali historik amerikan, heroi ynë Wesley Clark”, ka bërë të ditur Mehaj ditë më parë.
Gjenerali amerikan do të takohet edhe me Vjosa Osmanin, presidenten e Kosovës, me kryeministrin Albin Kurti, me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. /Insajderi.com