Pak para nisjes së seancës plenare, Kuvendi i Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë.
Në emër të Kuvendit, kryetari Glauk Konjufca ka ngushëlluar familjen Veseli për humbjen e tyre.
“Në emër të Kuvendit të Kosovës, e shfrytëzoj rastin të shprehi ngushëllime ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për vdekjen e babait të tij”, ka thënë Konjufca.
Nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës – kryetar i së cilës ishte vetë Veseli para se të dërgohej në Hagë – ka folur shefi i GP të kësaj partie, Abelard Tahiri.
“Fazli Veseli dhe familja e tij ishin të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit, fatkeqësisht ai ndërroi jetë e që nuk e pati afër djalin e tij Kadriun, sepse po përballet me akuzat për krime lufte në Hagë. Shfrytëzoj rastin që të shpreh ngushëllimet e mia për z.Veselin dhe familjen e tyre për humbjen e babait”, ka thënë ai.
Gjatë mëngjesit të së mërkurës ka vdekur babai i Kadri Veselit.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Veseli ishte liruar për vizitë tri-ditore nga Haga, për ta vizituar babain e tij, i cili ndodhej në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. /Insajderi.com