Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit

Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  ka miratuar udhëzimin e ri administrativ, i cili përcakton mënyrën se si do të bëhet verifikimi i aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë vendit.

KQZ në mbledhjen e mbajtur të mërkurën bëri të ditur se periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon më 10 korrik dhe do të përfundojë më 18 gusht 2021.

Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Florian Dushi tha se verifikimi i votuesve jashtë vendit nuk është i nevojshëm të bëhet tek të gjitha rastet, por vetëm tek kategoritë që janë të dyshimta.

Ai shpjegoi se KQZ do të verifikojë vetëm 2% të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme, teksa bëri të ditur se do të verifikohen edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm apo në rastet kur në një adresë elektronike përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm.

Kurse kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se futja e votimit elektronik në udhëzim administrativ është në kundërshtim me ligjin dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë.

“Na mundemi me e shti në rregullore por jemi në kundërshtim, pika C është në kundërshtim me këtë ligj. Tash, me dasht me e fut aplikimin elektronik me një udhëzim administrativ që kërkon procedurën e brendshme. Nëse ne i ndryshojmë rregullat për aplikuesit jashtë, atëherë jemi duke ndërhyrë në rregullore, çka nuk na lejohet. Udhëzimi administrativ ka të bëjë me neve, nuk mundemi me e tejkalu këtë”, deklaroi ai./Insajderi.com