Bislimi pas takimeve në Bruksel: Përmenda ngecjen e implementimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë

Bislimi pas takimeve në Bruksel: Përmenda ngecjen e implementimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimeve që kishte në Bruksel për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Bislimi, theksoi se ka përmendur ngecjet e Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne i kemi parashtruar ato marrëveshje ku kemi pasur vërejtje në hapat e deritanishëm të Serbisë, si marrëveshja për menaxhimin e integrimit të kufirit, për njohjen e diplomave, njohjen e certifikatave të mallrave të rrezikshme, lirinë e lëvizjes etj.

“Pra kemi përsëritur të gjitha këto marrëveshje që kemi pa që pala serbe nuk i përmbushur obligimet e saj. Pala serbe ka pasur të njëjtin takim me zyrën e Lajçakut, ndërsa në takimin e tanishëm të dy palët i kemi prezantuar se ku i shohim ne ngecjet në implementimin e detajishëm të marrëveshjes”, ka thënë Bislimi pas takimit.

Bislimi, ka treguar edhe për përgatitjen e takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Para fillimit të takimit zyrtar të takimit trilateral, kemi pasur një takim të shkurtër 5-minutësh në zyrën e Lajcakut ku e kemi përmendur nevojën e përgatitjes së takimit të nivelit të lartë, por jemi dakorduar që këtë ta diskutojmë gjatë javës së ardhshme në ‘Zoom’. Takimi do të mbahet në korrik, por ende nuk është specifikuar data”.

Ndërsa, i dërguari special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë rëndë dakord se “ka ende shumë punë për të bërë”.

Kosova dhe Serbia janë në një përpjekje për ta arritur një marrëveshje, e kërkuar nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Por, bazuar në deklaratat publike, palët kanë diferenca të mëdha për përmbajtjen e marrëveshjes. /Insajderi.com