Ambasada e ShBA-ve reagon pas shkarkimit të Bordit të RTK-së: Shkarkimet e nxituara dëmtojnë institucionet publike

Ambasada e ShBA-ve reagon pas shkarkimit të Bordit të RTK-së: Shkarkimet e nxituara dëmtojnë institucionet publike

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar lidhur me shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, shkruan Insajderi.

Ambasada ka theksuar se shkarkimi ka ndodhur më një justifikim të pakët, ndërsa ai duhet të bazohen në prova transparente, ngjashëm siç duhet edhe emërimet të bazohen në merita.

Sipas ambasadës shkarkimet e njëanshme dhe të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore.

“Dje, Kuvendi shkarkoi anëtarët e një bordi tjetër mbikëqyrës publik me një justifikim të pakët. Ndërsa kosovarët meritojnë përgjegjësi, shkarkimet duhet të bazohen në prova transparente ashtu si emërimet duhet të bazohen në merita. Shkarkimet e njëanshme të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore. Reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të qëllimshme, metodike duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Ndryshe të enjten deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.

Ndërkaq partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke e quajtur këtë e vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit./Insajderi.com