Opozita dhe shoqëria civile po e akuzojnë kryeministrin Albin Kurti për mungesë të transparencës në dialogun me Serbinë.
Katër ditë pas takimit të delegacioneve në nivel të ekspertëve në Bruksel, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) konsiderojnë se ka shumë mjegull në kapitullin e ri të dialogut. Sipas tyre, shefi i ekzekutivit duhet të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi me palën serbe.
Nga ana tjetër, në Lëvizjen Vetëvendosje mohojnë pretendimet e opozitës, teksa thonë se kryeministri Kurti ka bërë ftesë për gjithëpërfshirje në procesin e dialogut.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa e sheh shqetësuese mos raportimin e kryeministrit Kurti në Kuvend për takimin e parë të tij me presidentin serb, Vuçiq.
Ai për KosovaPress ka thënë se një gjë të tillë e kanë bërë gjithë ish-kryeministrat paraprak, derisa tash nuk ka as agjendë zyrtare për dialogun me Serbinë.
“E shohim se mungon një transparencë e bisedimeve, nëse e shohim në të kaluarën, ish-kryeministrat para çdo takimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë kanë ardhur në Kuvend, kanë diskutuar për agjendën që e kanë në Bruksel. Të njëjtën kohë edhe kur janë kthyer prapë kanë bërë të njëjtën gjë.
Kurse, kryeministri aktual, zotëri Kurti ende nuk e ka bërë një veprim të tillë. Për mua si deputet është shqetësuese dhe më shumë shqetësuese mungesa e transparencës është për qytetarët, pasi nuk e kemi një agjendë zyrtare shtetërore në raport me Serbinë”, ka thënë Beqa.
Kritika për mos transparencë në raport me dialogun me Serbinë po adreson edhe Violeta Haxholli nga KDI, e cila ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shmanget në një proces të tillë të rëndësishëm për vendin.
“Mungesa e transparencës po e shoqëron këtë kapitullin e ri të dialogut, siç po e quajmë. Kryeministri Kurti ende nuk ka raportuar në Kuvend për takimin e kaluar me presidentin Vuçiq. Ne si KDI konsiderojmë se Kuvendi nuk duhet të shmanget në këtë proces të rëndësishëm siç është dialogu, sidomos duke pasur parasysh se Kuvendi është institucioni më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme.
Prandaj edhe ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që sa më parë të vijë dhe raportojë në Kuvend lidhur me takimin, propozimet që i ka prezantuar aty t’i sqarojë më tutje për deputetët. Ashtu edhe të ofrojë informacione se çfarë po diskutohet në grupet teknike ku merr pjesë zotëri Bislimi dhe çfarë pritet të diskutohet në takimin e 25 korrikut. Ka një sërë informacionesh që qeveria nuk i ka ndarë as me Kuvendin dhe as me publikun”, ka deklaruar ajo.
Por, gjitha këto pretendime i mohon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni.
“Në procesin e dialogut gjithmonë kemi bërë ftesë për gjithë përfshirje, në anën tjetër kemi edhe transparencë pasi është raportuar paraprakisht. Kemi folur në Kuvend, ka raportuar edhe kryeministri Kurti për çështjen e dialogut dhe përgatitjet që janë duke bërë në Kuvendin e Republikës”, është shprehur Hyseni.
Deri më tani është zhvilluar një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me pjesëmarrës Kurti-Vuçiq dhe një takim i grupeve të ekspertëve. Kryeministri Kurti, por as vartësit e tij nuk kanë raportuar në Kuvend për këto takime, por para nisjes për në Bruksel për takimin e parë, kreu qeveritar ka diskutuar në Kuvend për ecurinë e deriatëhershme të dialogut. Ndërsa, takimi i dytë i nivelit të lartë pritet të mbahen në fund të muajit korrik./Insajderi.com