Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, nuk mendon se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen të buta me palën kosovare, transmeton Insajderi.
Scheib në një intervistë për mediumin serb ‘Kurir’ që është i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, reagoi kundër konstatimit të gazetarit, i cili tha se BE-ja dhe SHBA-të janë shumë të buta ndaj Prishtinës, kur bëhet fjalë për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, por edhe ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Nuk e ndaj atë përshtypje. Ne presim që të dyja palët t’i qasen këtyre negociatave në mënyrë konstruktive dhe ne jemi duke informuar qartë autoritetet, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Sigurisht, është e rëndësishme që të ketë një nivel të caktuar të besimit të ndërsjellë nga të dy palët. Kjo është arsyeja pse është mirë që presidenti (Aleksandër) Vuçiq dhe kryeministri (Albin) Kurti u takuan personalisht”, tha Schieb.
Ai theksoi se është e rëndësishme që të dy palët ta respektojnë parimin e marrëveshjes dhe zbatimit.
Schieb gjithashtu iu referua shfaqjes së shumë “non-papers” në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe theksoi se pozicioni i Gjermanisë është i qartë – nuk ka ndryshime kufijsh sepse, siç tha, kjo do të krijonte probleme shtesë në vend të zgjidhjes së atyre ekzistuese, të cilat do të rezultonin në destabilizim të rrezikshëm të rajonit.
“Ndonjëherë diskutimi i drejtuar emocionalisht rreth të ashtuquajturve “non-papers” me origjinë të papërcaktuar është i përshtatshëm për ta larguar vëmendjen nga tema të rëndësishme që e përfaqësojnë një sfidë, dhe kjo është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe pajtimi me vendet përreth”, tha ambasadori gjerman. /Insajderi.com